10 mijë maska me destinacion Shqipërinë bllokohen në Greqi, Ruçi i dërgon shkresën BE

43

Një ditë pas bllokimit të 10 mijë maskave në doganën greke, kryeparlamentari Gramoz Ruçi bashkë me homologët e tij ka dërguar një shkresë në adresë të Bashkimit Europian. Letra ka si synim përjashtimin e Ballkanit Perendimor nga kufizimi i eksportit të mjeteve mjekësore.

Në fund letra mban firmën e Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Denis Zvizdic; Kryetar i Dhomës së Përfaqësueve të Bosnjë- Hercegovinës dhe Dragan Covic, Kryetar i Dhomës së Popujve të Bosnjë-Hercegovinës; Vjosa Osmani,Kryetare e Kuvendit të Kosovës;  Ivan Brajovic, Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi; Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut; Maja Gojkovic, Kryetare e Parlamentit të Serbisë.

Të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës së pandemisë COVID-19,  numrin e personave të infektuar dhe pajisjet e pamjaftueshme mjekësore të vendeve tona, sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për solidaritet, një qasje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Ndaj, kërkojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor: Të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e paisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së;  Të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në të paisjeve mjekësore për të luftuar pandeminë; Të  lejohen që një pjesë e fondeve  të Programit  IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet  e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19.  Veç masave të propozuara, në emër të parlamenteve të vendeve tona, mirëpresim çdo lloj ndihme që Bashkimi Evropian është i gatshëm të vejë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruhet në letrën e kryeparlamentarëve të rajonit.